🔸 Zbulohet zhvillimi i ngjarjes! Nëse nuk ke lexuar romanin “Alef” nga Paulo Coelho, sugjerohet ta lexosh më parë. Këto janë vetëm përshtypjet e mia personale mbi librat që lexoj. Nuk jam kritike librash, thjesht një lexuese që ndan mendimet e saj.
Kam lexuar më parë libra të Coelhos . “Alkimisti’” dhe “Veronika vendos të vdesë”. Të dy më kanë pëlqyer. Alef, sidoqoftë, ishte më ndryshe. Më autobiografik, më i afërt me autorin. Në të, Coelho përshkruan një periudhë krize dhe boshllëku shpirtëror. Ai ndjen se ka humbur lidhjen me rrugën e tij krijuese dhe shpirtërore. Për të rigjetur këtë lidhje, ai nis një udhëtim me trenin Trans-Siberian, gjatë të cilit njihet me Hilal, një violiniste e re, e cila bëhet personazh kyç i rrefimit. Pika kulmore e romanit është përvoja e të dyve me Alefin, një lloj “portali mistik” që i vendos në kontakt me dimensionet e tjera të kohës e të shpirtit. Përmes këtij çasti, Coelho rikthen idenë e njohur tashmë në veprat e tij; çdo udhëtim i jashtëm është në fakt një udhëtim i brendshëm.
Çfarë është Alef?
Titulli “Alef” i referohet shkronjës së parë të alfabetit hebraik dhe, në traditat mistike (si Kabala), simbolizon pikën e origjinës, v endin ku bashkohen koha, hapësira dhe shpirti. Në roman, kjo ide përdoret si metaforë për përjetësinë, unitetin e shpirtit dhe mundësinë e rilidhjes me vetveten.
Unë vetë gjithmonë kam preferuar të mendoj se ne kemi jetuar në kohë të tjera. Jo si besim i prerë, por më shumë si një mënyrë e imja për ta parë botën. Preferoj të mendoj që u jepet një mundësi e dytë atyre që nuk kanë përmbushur qëllimin e vet në një jetë të vetme. Dhe kështu, unë gjej një shpjegim përse ndonjëherë ndiejmë lidhje të menjëhershme me disa njerëz, një afërsi që nuk arrijmë ta shpjegojmë logjikisht. Ndoshta janë shpirtra që i kemi takuar më parë, në kohëra të tjera. Kështu më pëlqen të mendoj. Pavaresisht kesaj, kur lexoj apo degjoj per tema te ngjashme, zakonisht shmang ato që kalojnë në absurditet. Tek Coelho më pëlqeu mënyra si e solli këtë ide. Ai e bën më të pranueshme, e bën më të prekshme dhe pse nuk më pëlqente që herë pas here autori kalonte nga rrëfyes në udhëheqës shpirtëror, gati në vetëlavdërim.
Entuziazmi që u zbeh me kohën
Fillimi i librit më pëlqeu shumë. Faqet e para ishin tërheqëse, të ngrohta. Por më pas, sikur zgjatej, sikur përsëritej. Aty humba pak nga entuziazmi fillestar. Ndonjëherë rrëfimi dukej sikur lëvizte në rreth.
Personazhet që mbajnë peshën
Unë gjithmonë e shijoj të flas mbi personazhet. Tek Alef kemi disa figura: autori vetë, Hilali, Jao dhe të tjerë që plotësojnë mozaikun e udhëtimit. Hilali është një personazh interesant. Një violiniste turke, vetëm 21 vjeç, përballë autorit që është 58. Mendoj se ky kontrast moshe nuk është rastësor. Coelho e përdor për të theksuar se dashuria nuk i bindet rregullave të kohës apo të shoqërisë. Lidhja e tyre ka rrënjë në jetët e kaluara. Ata janë takuar më parë, kanë dashur njëri-tjetrin, por historia e tyre ka mbetur e papërfunduar. Dashuria e Hilalit është e pafajshme, e pastër, e sinqertë. Ajo e adhuron autorin, jo vetëm si burrë, por si shpirt që e ka njohur më parë. Nga ana tjeter, dashuria e autorit për të është më e ndërlikuar, më e kujdesshme, më e pjekur, një dashuri që ai e përshkruan si një lumë, që rrjedh natyrshëm dhe nuk mund të ndalet apo të kontrollohet. Ndonjëherë pata përshtypjen se autori fokusohej shumë te vetja, duke ia marrë Hilalit hapësirën që meritonte. Edhe kur ia jepte, ishte për të pasqyruar përsëri veten e tij.
Në fund, duket sikur secili ka një udhëtim të vetin. Autori arrin ta përmbushë qëllimin e vet shpirtëror në këtë përballje me të shkuarën, ndërsa Hilali sapo nis të kërkojë të sajën. Dashuria e tyre është një pikëtakim, e fuqishme, por jo një destinacion përfundimtar. Ka takime te tilla në jetë, takime të shkurtra, por thelbësore, që na shënojnë përgjithmonë edhe nëse nuk zgjasin.
Vlerësimi im final
Unë e shijova shumë leximin, pavarësisht se nisa të lodhesha nga përsëritjet. Mendoj në një kohë tjetër të jetës time, ato faqe do më thonin dicka krejt tjetër. Një udhëtim shpirtëror që shpesh më bëri të reflektoj mbi jetët e kaluara, mbi dashuritë e menjëhershme, mbi takimet që mbeten të pashpjegueshme. Shpesh autori përdor simbole, rituale, përvoja mistike që mund të interpretohen në mënyra të ndryshme, por pa e kthyer në predikime fetare. Një pjesë tjetër e fortë e mesazhit të librit është se nuk mund të ecësh përpara nëse nuk përballesh me gabimet e së kaluarës. Në libër, autori duhet të përballet me një ndjesi fajësie nga e shkuara dhe të kërkojë falje ose mirëkuptim. Të falësh veten është po aq e rëndësishme sa të falësh të tjerët.
Coelho mbetet ai që di të të bëjë të mendosh përtej të zakonshmes. Si në libra të tjerë të tij, ai na kujton se ndonjëherë duhet të shkosh shumë larg për të kuptuar atë që ke pranë.
Vlerësimi im: 8 nga 10.