Romani “Gjithë dashnorët e natës”

By Albina Bardhi on Aug 2, 2025

🔸 Kujdes: Zbulohet përmbajtja e librit! Ky blog diskuton ngjarje dhe fundin e romanit “Gjithë dashnorët e natës” nga Mieko Kawakami.


U bë ca kohë që nuk lexoja romane. Kam nisur dy-tri dhe i kam lënë përgjysmë. Këtë herë doja një libër për pushimet në jug, për ta lexuar në plazh. Motra ime, që e kishte blerë më herët, më tha: “Ecën kollaj, merre këtë”. E mora. Nuk kam lexuar shumë autorë japoneze, por ato pak që kam lexuar më kanë pëlqyer. Më duket sikur e kanë një mënyrë shumë të veçantë për të prekur emocionet, ndjenja që nuk i kam hasur te autorë perëndimorë dhe që shpesh rezonojnë me mua. Ndaj vendosa t’i besoj.

Ky ishte libri im i parë nga Mieko Kawakami. Nga kopertina dukej se kisha të bëja me një autore të suksesshme. Gjatë gjithë librit prita të ndodhte “diçka”, një kthesë, një moment ndryshimi, një zbulim. Nuk ndodhi. Dhe në fund të fundit, kjo ishte edhe një nga të bukurat e librit. Është një roman që nuk kërkon të të surprizojë. Thjesht të rrëfen. Të fton të dëgjosh.


Një protagoniste që s’është si unë, por që e kuptoj

Personazhi kryesor, Irie Fuyuko, më dukej krejt ndryshe nga unë. Ajo nis të tregojë për jetën e saj para se të bëhej freelance dhe unë mendoja: hmm, po ka dhe njerëz kështu. Një lloj vetmie e zgjedhur, një ekzistencë e heshtur. Po edhe pse mund të ishte një personazh që do më irritonte, ndjeva se do e mbaja afër. Kishte diçka që të ftonte ta kuptoje.

Më shumë se çdo gjë tjetër, ndjeva afërsi me Hixhiron, mikeshën e saj. Në disa pjesë të përshkrimit të saj, gjeta veten. Dhe ndoshta pikërisht përmes kësaj mikeshe e shihja më qartë edhe vetë Fuyukon.


Një zë që flet me veten

Narrativa është intime. Duket sikur Fuyuko nuk po flet me lexuesin, por me veten. Ne thjesht dëgjojmë. Ky është një nga elementët që e bën leximin të rrjedhshëm dhe të butë. E mbarova librin për dy ditë.


Fuyuko dhe mënyra si percepton veten e botën

Fuyuko ka shumë ndjeshmëri për gjithçka që e rrethon. Çdo emocion përshkruhet me aq delikatesë sa s’mund të mos ndalesh për ta përtypur. Nuk ka ngjarje madhore, por ka jetë. Ka ndjesi. Ka të vërteta të vogla që janë të mëdha për atë që i përjeton.

Më la mbresa mënyra si autorja tregon detaje që duken të zakonshme, por që për personazhet janë thelbësore. Si mënyra si Hixhiro zgjodhi të jetojë, apo si perceptimi i të tjerëve ndikon mënyrën si ajo shihet. Fuyuko, nga ana tjetër, jeton me një pasivitet të përhershëm. Vetëm e vështron botën që e rrethon. Nuk jam e sigurt nëse ajo e zgjodhi vetminë apo ajo thjesht ndodhi. Por gjithsesi, çfarë dëshironte vërtet Fuyuko? Nuk jam e sigurt.

Megjithatë, Fuyuko më la shumë për të menduar. Ishte kaq e mbyllur, nuk linte askënd të afrohej. Më habiti sa shumë u ndikua nga diçka që dikush tjetër i tha për Hixhiron. Ishte shqetësuese për mua. Por, edhe ky është realiteti. Ne ndikohemi dhe këtë libër e bënte të vërtetë pikërisht kjo ndershmëri emocionale.

Nuk mund të mos përmend edhe pjesën e marrëdhënies me Mitsutsuka-n. Nuk kisha ndonjë pritshmëri nga ai personazh. M’u duk i fshehtë që në fillim. Ata flisnin për asgjë. Dhe në fund, kur Fuyuko guxon dhe flet për ndjenjat e saj, ai zhduket. Ajo dhimbje, edhe pas dy vitesh, në heshtje, ishte ende aty, duke u shuar ngadalë, sepse Fuyuko krijoi gjithçka në kokën e saj dhe kjo është ndoshta ajo që i ndodh shumë prej nesh.


Zgjedhjet e grave dhe mënyra si i gjykon bota

Libri ndalet shumë në zgjedhjet e grave, mënyra si jetojnë, si perceptohen, si keqkuptohen. Hixhiro zgjodhi një jetë më të lirë, më të guximshme, por edhe ajo u gjykua. Fuyuko zgjodhi mbylljen dhe heshtjen dhe gjithashtu u gjykua. Autorja nuk i justifikon, as i romantizon personazhet. I lë ashtu si janë dhe kjo i jep forcë rrëfimit.


Përvoja ime si lexuese

Ky nuk është një libër për këdo. Është i ngadaltë, i heshtur, i thellë. Ka shumë pasazhe që për disa njerëz mund të duken të thjeshta ose pa kuptim, por unë doja të kuptoja Fuyukon. Doja që Fuyuko të bënte “diçka”. Dhe ajo bëri. La punën. Filloi të pinte. Foli me Mitsutsukën. Veshi rrobat e Hixhiros. Jo sepse donte të ndryshonte, por sepse ndoshta po kërkonte një mënyrë të re për të jetuar brenda vetes së saj. Jo gjithmonë e gjejmë habitatin tonë dhe kjo është për të ardhur keq. Por, ndoshta ndonjëherë mjafton vetëm të fillojmë të flasim, qoftë edhe vetëm me veten. Nuk jam e sigurt çfarë do të ishte “më e mira” për Fuyukon, por ndoshta kjo nuk ka rëndësi. Ajo na dha shumë si lexues. Ndau kujtime nga fëmijëria, nga adoleshenca, nga përvoja e saj e parë seksuale, që ishte, në mënyrë të heshtur, një përdhunim. Ka një ndjesi të thellë qetësie në mënyrën si tregohet gjithçka, por njëkohësisht të duhet durim për ta lexuar.


A ia vleu?

Po. Për mua, po. Do i jepja një 7 nga 10. Nuk është një libër për ata që kërkojnë ndodhi të mëdha, kthesa apo funde dramatike. Është një libër për ata që duan të dëgjojnë. Për ata që kanë ndierë ndonjëherë se janë të pakuptueshëm. Për ata që duan të rrinë pranë një personazhi që nuk bërtet, por që flet me zemër.

Category: Books I've read

Next Post Other's Problems